
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se janë shpërndarë mbi 27 mijë tekste për nxënësit e shkollave dhe klasave të gjuhës shqipe në diasporë, një rritje prej 70% krahasuar me një vit më parë.
Ky zhvillim përbën një tjetër hap konkret në përmbushjen e një prej premtimeve elektorale të qeverisë, që ka pasur në fokus forcimin e lidhjeve kulturore dhe arsimore me komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Aktualisht, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare mësohen në rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës. Për të mbështetur këtë proces, prej pak vitesh është në zbatim edhe programi “Mësues për Diasporën”, përmes të cilit qeveria angazhon mësues të kualifikuar që ndihmojnë në zhvillimin e mësimit të gjuhës amtare dhe trashëgimisë kulturore shqiptare tek fëmijët emigrantë.
Sipas Kryeministrit, këto masa janë pjesë e një strategjie afatgjatë për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve kudo që ndodhen.