
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë koncertit të grupit legjendar britanik Oasis, mbrëmjen e së shtunës në Wembley Stadium, Londër, ku një burrë në të 40-at humbi jetën pasi ra nga një lartësi.
Sipas Policisë Metropolitane, oficerët dhe ekipet mjekësore u thirrën në orën 22:19 me orën lokale, ku gjetën burrin me dëmtime që përputhen me një rënie nga lartësia. Fatkeqësisht, ai u shpall i vdekur në vendngjarje.
Besohet se burri ra nga një zonë e sipërme e stadiumit, i cili ishte i mbushur me mbi 90 mijë spektatorë në kuadër të turneut të ribashkimit “Oasis Live ’25”.
Në një reagim zyrtar, grupi Oasis u shpreh i “tronditur dhe i pikëlluar” nga lajmi, duke i shprehur ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të viktimës.
Policia tha se shumë njerëz mund të kenë qenë dëshmitarë të incidentit ose mund ta kenë filmuar pa e kuptuar, dhe u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë në numrin 101.
Hetimi do t’i kalojë në ditët në vijim Agjencisë për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE).
Pavarësisht tragjedisë, koncerti i radhës i planifikuar për të dielën në Wembley do të zhvillohet siç ishte parashikuar. Grupi do të vijojë më pas me koncerte në Edinburg, Irlandë, Kanada, SHBA dhe Meksikë, përpara se të rikthehet në Londër për dy netë të tjera më 27 dhe 28 shtator.