
Saranda është tronditur mbrëmjen e së hënës nga një shpërthim i ndodhur në lagjen nr. 3 të qytetit. Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, dyshohet se një sasi lënde shpërthyese është vendosur në një automjet të parkuar, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J. (Klaus Jace), 31 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se ky shpërthim mund të ketë lidhje pikërisht me atë konflikt të mëparshëm, duke ngritur shqetësime për një përshkallëzim të përplasjeve kriminale në zonë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.