Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria Ushqimore”, duke goditur një skemë kriminale të falsifikimit të etiketave të produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas qarkullonin sërish në treg.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7. Si rezultat, u zbulua në Vorë një magazinë ku përpunoheshin dhe ripaketoheshin mallra ushqimore të skaduara, të mbledhura nga tregje në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Policia arrestoi në flagrancë administratorin e subjektit, F. D., 38 vjeç dhe magazinierin A. D., 58 vjeç. U proceduan penalisht ortaku i subjektit, S. T., 56 vjeç, dhe shoferi A. D., 36 vjeç.

Nga kontrolli u sekuestruan 716 koli me produkte ushqimore të përpunuara, të cilave u ishte kaluar afati në janar dhe shkurt 2025, por që ishin pajisur me etiketa të falsifikuara për t’u hedhur sërish në treg. Aktiviteti zhvillohej pa dokumentacion tatimor dhe në kundërshtim me rregullat e sigurisë ushqimore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për hetime për veprat penale:

“Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”

“Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”

“Fshehja e të ardhurave”

“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”

“Punësim i paligjshëm”

“Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu