
Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përballur me një valë të re zjarresh, ku janë evidentuar 24 vatra në të gjithë territorin, nga të cilat 4 vijojnë të jenë ende aktive, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe ullishta.
Sipas të dhënave zyrtare, vatrat janë regjistruar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Mallakastër, Fier, Selenicë, Finiq, Himarë, Kolonjë, Korçë, Përmet, Dimal, Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Tiranë, Kavajë dhe Kamëz.
Vatrat aktive më problematike janë:
🔸 Qarku Dibër – Parku Kombëtar i Lurës
Dy vatra janë ende aktive në zonën e “Liqenit të Luleve”: një në Gurë Lurë dhe një tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it, e cila është aktualisht e izoluar dhe nën monitorim. Vatra në Malin e Dejës po përhapet me shpejtësi, e ndihmuar nga era, duke rrezikuar territorin e bashkisë Mat.
🔸 Qarku Dibër – Bulqizë, Mali i Peladhisë
Në njësinë Zerqan, një vatër e riaktivizuar ka përfshirë rreth 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Aktiviteti është përqendruar mbi fshatin Vlash.
🔸 Qarku Fier – Mallakastër dhe Fier
Në zonën Drenovë–Gorishovë, zjarri është i përhapur në ullishtet e fshatit Gorishovë. Terreni i vështirë dhe era e fortë po pengojnë kontrollin e situatës.
🔸 Qarku Vlorë – Himarë, fshati Borsh
Zjarri në një sipërfaqe pyjore vijon të jetë aktiv edhe pas ndërhyrjes së mbrëmshme. Forcat zjarrfikëse dhe ato të Armatosura janë ende në terren.
Bilanci i dëmeve
Deri më tani, janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi të ndryshme, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.
Në operacionet e shuarjes janë përfshirë:
- 57 automjete zjarrfikëse
- 538 forca operacionale
- 2 helikopterë
- 120 efektivë të Forcave të Armatosura (gjatë ditës së djeshme)
- 50 trupa ushtarake dhe 5 mjete FA në terren sot që prej orës 06:00
Rreziku i përhapjes mbetet i lartë
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje. Rreziku për zjarre në pyje është “i lartë” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në nivele “të moderuara” në qarqet e tjera.
Thirrje qytetarëve
Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë. U bëhet thirrje qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të lajmërojnë menjëherë shërbimet emergjente në numrin 112 nëse konstatojnë një vatër zjarri.