
Një zjarr masiv që përfshiu qendrën tregtare “Corniche Hypermarket” në qytetin Kut të Irakut ka shkaktuar vdekjen e të paktën 60 personave, sipas autoriteteve vendase. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës dhe për orë të tëra, forcat zjarrfikëse punuan për të shpëtuar të bllokuarit dhe për të vënë flakët nën kontroll.
Sipas raportimeve, qendra tregtare ishte hapur vetëm pesë ditë më parë. Shumë prej viktimave u asfiksuan nëpër banjo dhe korridore, ndërsa 14 trupa janë ende të paidentifikuar. Janë raportuar edhe dhjetëra të plagosur, të cilët janë dërguar në spitalet e qytetit.
Guvernatori i rajonit, Mohammed al-Miyahi, e quajti ngjarjen një fatkeqësi të rëndë dhe deklaroi tre ditë zie. Ai njoftoi gjithashtu nisjen e një hetimi zyrtar dhe paralajmëroi masa ligjore ndaj pronarëve të qendrës, duke vënë në dukje se do të shqyrtohen të gjitha masat e sigurisë që janë zbatuar (ose jo) në objektin tregtar.
Një dëshmitar, Nasir al-Quraishi, tha për AFP se humbi pesë anëtarë të familjes së tij gjatë zjarrit. Ai rrëfeu se ndodhej në qendër me familjen për darkë kur shpërtheu një kondicioner në katin e dytë, dhe më pas u përhap zjarri në të gjithë ndërtesën.
Shkaku i zjarrit është ende nën hetim, ndërkohë që siguria në ambientet publike në Irak mbetet një shqetësim serioz, sidomos pas ngjarjeve të tjera tragjike në vitet e fundit, përfshirë zjarrin në një dasmë në veri të vendit në vitin 2023 që shkaktoi mbi 100 viktima.
Autoritetet pritet të publikojnë raportin paraprak të hetimit në dy ditët në vijim.