
Uashingtoni deklaron se palët kanë rënë dakord për hapa konkretë për ndalimin e përshkallëzimit të dhunës në Siri, pas goditjeve ajrore të ushtrisë izraelite që lanë të paktën tre të vdekur në Damask, sipas Ministrisë së Shëndetësisë siriane. Sulmet synuan një seli ushtarake dhe një objektiv pranë pallatit presidencial.
Siria dënoi sulmet si një “sulm flagrant për të ndezur tensionet”, ndërsa Izraeli ende nuk ka komentuar publikisht.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një deklaratë në rrjetin “X”, konfirmoi: “Ne kemi rënë dakord për hapa të qartë që do ta përfundojnë këtë situatë sonte”, duke theksuar se SHBA ka angazhuar të gjitha palët e përfshira.
Në Suweida, në jugperëndim të Sirisë, sulmet vijnë pas disa ditësh tensionesh dhe përplasjesh mes komuniteteve, me Izraelin që pretendon se vepron për të mbrojtur pakicën druze, por edhe me qëllime politike, sipas analizave të BBC-së.
Pamje nga Damasku tregojnë shkatërrime pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa flakë dhe tym janë parë edhe pranë zonës presidenciale. Banorët kanë përshkruar panik të madh: “Të gjithë nisën të vraponin. Askush s’dinte ku të shkonte”, tha një qytetar për BBC.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar:
- Irani deklaroi se mbështet sovranitetin e Sirisë dhe e ironizoi Izraelin me pyetjen: “Cila është kryeqyteti tjetër në listë?”
- OKB dënoi sulmet dhe bëri thirrje për ndalimin e çdo shkeljeje të sovranitetit sirian.
- Turqia, Libani dhe Iraku i quajtën veprimet izraelite “sabotim ndaj përpjekjeve për paqe”.
- UNHCR paralajmëroi për një situatë “shumë të brishtë”, ndërsa mijëra refugjatë janë në proces kthimi në vendlindje pas rënies së regjimit Assad.
Ministri izraelit i Jashtëm, Gideon Sa’ar, tha se sulmet synojnë të ndalin përndjekjen e pakicave në Siri nga vetë regjimi i Damaskut dhe aleatët e tij.
Nga Bejruti, gazetarja e BBC-së, Lina Sinjab, theksoi se goditjet po dobësojnë më tej imazhin e qeverisë së re siriane të drejtuar nga presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa, e cila nuk ka kapacitete ushtarake për t’iu kundërvënë Izraelit.
Të gjitha palët pritet të respektojnë marrëveshjen për de-përshkallëzim që, sipas SHBA-së, do të hyjë në fuqi sonte.
Përgatiti: Redaksia AIA
Burimi: BBC, Reuters, OS Radio