
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në bregdetin e Montalto di Castros, në provincën e Viterbos (Itali), ku një 17-vjeçar nga Roma ka humbur jetën në mënyrë tragjike teksa ndodhej në plazh me familjen e tij.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, i riu po luante duke hapur një gropë në rërë, ndërkohë që babai i tij ishte duke pushuar nën çadër. Në një moment, 17-vjeçari ka hyrë brenda gropës, por rëra është shembur papritur, duke e zënë poshtë dhe duke e mbuluar plotësisht.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë karabinierët, policia lokale dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e helikopterit të urgjencës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të shpëtimit, për të riun nuk kishte më asgjë që mund të bëhej. Ai ishte ndarë nga jeta.
Sipas mediave lokale, pak para tragjedisë, viktima po luante me vëllezërit e tij më të vegjël, duke hapur një gropë që arriti një thellësi prej rreth një metër e gjysmë. Mendohet se shembja e papritur e mureve të gropës ka ndodhur në një moment kur askush nuk e kishte vënë re.
Babai i tij, kur nuk e pa më djalin, dha menjëherë alarmin. Pas rreth 40 minutash kërkime, trupi i pajetë i adoleshentit u gjet i mbuluar nga rëra.
Trupi i viktimës është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore dhe ndodhet nën sekuestrimin e prokurorisë së Civitavecchia-s. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po drejtohen nga karabinierët.