Ministri i Drejtësisë dërgon në ILD prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, dhe kërkon nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj, sipas ligjit, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.

“Kërkim i nisjes së procedimit disiplinor ndaj prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, znj. Elsa Gjeli”, thuhet në krye të shkresës së ministrit Manja, dërguar institucionit të ILD-s ëdhe kreut Artur Metani, teksa për dijeni ia ka referuar edhe KLP-së. Shkresa mban datën e sotme (10 korrik).

Manja jep shpjegimet proceduriale dhe juridike në 8 faqe material, teksa nënvizon rastin:

“Me vendimin e datës 30.05.2025 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër është vendosur mosfillimi i procedimit penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, për materialin hetimor të dërguar në këtë prokurori nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër”.

Ministri shpjegon edhe rrethanat e materialit të referuar, që nga kontrolli i IMT të Bashkisë Shkodër më 29 prill, kallëzimi në Prokurori, referimi i materialeve në organin e akuzës, pezullimi i punimeve më 30 prill për vendosjen e kabinave, vendimi për prishjen dhe gjobën subjektit më 8 maj.

Kallëzimi përfundimtar është bërë më 28 maj, për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, ndaj subjektit të të kërkuarit Prek Kodra, ky objekt hetimi i SPAK për dosjen “Metamorfoza”.

“Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30.05.2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren”, nënvizon Manja, duke e kundërshtuar këtë vendim si në shkelje të ligjit. Më poshtë i bën një shpjegim të detajuar të rastit të Thethit dhe argumentet juridike, të bazuara në legjislacionin shqiptar.

Ministri ndaj mendimin se duhej një hetim i thelluar dhe procedim disiplinor ndaj prokurores, bazuar në këto materiale që po referoheshin, pasi “ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit”.

“Në këtë rast që po ju paraqesim, vendimi i prokurorit është në kundërshtim me përmbushjen e rolit dhe të funksionit të tij, ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit, në lidhje me kallëzimin nr.827, datë 28.05.2025 të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaj dhe duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të thelluar nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, referuar parashikimeve të neneve 169, pika 2, dhe 194, pika 2 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, nenit 119, pika 2 të ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe nenit 6, pika 10 e ligjit 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Bashkëlidhur gjeni kopje të dokumenteve që disponon Ministria e Drejtësisë për këtë çështje”, shprehet ministri Manja në fund të kërkesës së tij drejtuar ILD-së, që mban edhe siglimin e firmës së tij dhe vulën e institucionit.

Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar nisjen e kërkimit të këtij procedimi nga Ministria e Drejtësisë dy ditë më parë./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu