
Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë së Komisariatit Librazhd parandaloi përshkallëzimin e një konflikti fizik mes katër vëllezërve dhe pesë shtetasve të tjerë, në ambientet e një lokali në fshatin Dragostunjë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale:
- U arrestuan në flagrancë shtetasit I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”;
- U shpallën në kërkim vëllezërit e tyre, V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç;
- U procedua penalisht shtetasja E. G., 50 vjeçe, (kameriere e lokalit), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka ndërhyrë për të prishur provat në vendngjarje.
Nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 09.07.2025, për motive të dobëta, katër vëllezërit kanë ushtruar dhunë fizike me grushte dhe sende të forta ndaj pesë shtetasve: A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.