
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e 8 korrikut në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës, ku një 24-vjeçar dyshohet se ka ndezur qëllimisht zjarr në banesën e hallës së tij.
Sipas Policisë së Vlorës, pas njoftimit për djegien e banesës, shërbimet policore nisën menjëherë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të zbardhur rrethanat e rastit. Nga veprimet e shpejta hetimore rezultoi se zjarri ishte i qëllimshëm dhe autor i dyshuar i tij është shtetasi E. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.
Ai u identifikua dhe u arrestua në flagrancë, falë pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë në vendngjarje. Dyshohet se ai, rreth orës 15:30, ka ndezur zjarr në banesën e hallës së tij 56-vjeçare, për motive të dobëta.
Fatmirësisht, falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.