
Në Korçë u zhvillua një takim i rëndësishëm mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe homologut grek, George Gerapetritis. Ceremonia u mbajt me rastin e përurimit të godinës së re të Konsullatës së Përgjithshme Greke në qytet.
Ministri Gerapetritis theksoi rëndësinë historike të Korçës për Greqinë dhe përmendi figurën e nobelistit Jorgo Seferis. Ai theksoi se Greqia nuk do të tërhiqet nga mbështetja për të drejtat e minoritetit grek.
Nga ana tjetër, Hasani e quajti hapin një simbol të bashkëpunimit dhe vlerave europiane. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes greke për rrugën europiane të Shqipërisë. Të dy ministrat vlerësuan përpjekjet për stabilitet në rajon dhe dialog të ndërsjellë.
Godina e re e konsullatës konsiderohet si një urë komunikimi për qytetarët. Në fokus ishin bashkëjetesa, zhvillimi arsimor dhe dixhitalizimi i shërbimeve. Takimi në Korçë konfirmoi përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ndërsa Eurodeputeti Fredi Beleri, ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqia duhet t’i përmbahen marrëveshjes për detin.
I pranishëm në inagurimin e konsullatës greke në Korçë, Beleri u shpreh se kjo marrëveshje është në interes të të dy vendeve.
“Është një çështje që dy ministrat dhe qeveritë ta zgjidhin me mirëkuptim. Çështja e detit nga marrëveshja e vitit 2009 është një marrëveshje në interes të të dyja shteteve dhe duhet t’i përmbahen asaj marrëveshjeje”, tha ai.
I pyetur mbi qëndrimin e tij në Parlamentin Europian për kontestimin e zgjedhjeve të 11 majit nga opozita, Beleri u shpreh se do të jetë në të njejtën linjë me raportin e OSBE-ODHIT.
“Sot nuk kemi zgjedhje, është një ditë feste, inaugurohet një ngjarje historike për qytetin e Korçës. Është një godinë që nga sot do ta ketë Konsullata Greke, e cila do të jetë një institucion që do të përparojë marrëdhënien e dy shteteve. Sa për zgjedhjet, unë besoj se raporti i OSBE-ODIHR dhe vëzhguesve europianë është fare i qartë ky do të jetë edhe qëndrimi ynë. Që do të thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, të vjedhura, dhe nuk kanë të bëjnë fare me një shtet që aspiron Bashkimin Europian”, tha ai.