
Deputetët Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej seanca e radhës konstituive janë evakuuar për shkaqe sigurie, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri tha se policia ka kërkuar nga deputetët të largohen për shkaqe sigurie, pasi ka disa kërcënime.
Deputetët kanë filluar të largohen tashmë nga hapësirat.
Deputeti Glauk Konjufca ka folur para gazetarëve në oborrin e Kuvendit të Kosovës derisa është larguar pas urdhrit të policisë.
Ai ka thënë se në Kuvendin e Kosovës është bërë një kërcënim nëpërmjet telefonit duke thënë se policia do të tregojë më shumë. “Policia kështu po mendon…” tha ai.
Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me evakuimin e deputetëve nga ndërtesa e Kuvendit pas prnaimit të një informate për mjet shpërthyes.
Policia e Kosovës bëri të ditur për Telegrafin se sot, më datë 05.07.2025 në orët e paradites është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së.
“Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet.
Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, thuhet në njoftim.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, ka bërë të ditur se seanca konstituive, e paraparë të mbahej sot në ora 11:00, do të vazhdojë punimet në ora 20:00.