
Pasi nuk fitoi mandatin e deputetes, Ina Majko është emëruar zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama, e cilëson Majkon prurjen e parë nga komuniteti rom në kabinetin qeveritar të Shqipërisë.
Rama thekson po ashtu se Ina Majko, si pjesë e skuadrës së re që nisi rrugën më 11 maj drejt Shqipërisë 2030, do të përfaqësojë në këtë rol çështjet sociale, veçanërisht ato të komuniteteve dhe grupeve në nevojë.
Kryeministri kujton rrugëtimin e Inës, nga një fëmijë që u rrit në sfida e paragjykime, deri te një vajzë e talentuar, e cila përfundoi studimet jashtë vendit me rezultate të larta dhe zotëron pesë gjuhë të huaja.
Ai e përshkruan si një zë të fuqishëm të komunitetit rom në platformat sociale dhe një mbështetje të rëndësishme për familjet në nevojë në vend. Ky emërim shënon një hap historik për përfshirjen e komuniteteve minoritare në qeverisje dhe reflekton angazhimin e qeverisë për një Shqipëri më të përfshirë dhe me politika sociale më të drejta./klanTV