Prej ditës së djeshme ka hyrë zyrtarisht në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e pensioneve, duke sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë që kanë punuar në të dy vendet. Aplikimi tashmë bëhet vetëm në rrugë elektronike, përmes platformës e-Albania dhe institutit homolog italian INPS, pa pasur më nevojë për paraqitje fizike apo dokumente të dorëzuara në sportele.

“Nuk ka më nevojë të paraqiten fizikisht. Aplikimi bëhet online përmes e-Albania dhe të gjitha dokumentet shkëmbehen në mënyrë elektronike me palën italiane, duke shkurtuar kohën e pritjes dhe duke lehtësuar ndjeshëm qytetarët”, thotë kreu i ISSH, Astrit Hado.

Manualet dhe udhëzuesit janë publikuar në faqet zyrtare të të dy institucioneve për të udhëzuar qytetarët hap pas hapi. Në fokus janë jo vetëm ata që plotësojnë vitet e punës për pension, por edhe ata që kanë punuar në dy shtete dhe kërkojnë të përfitojnë në përputhje me ligjin.

“Nuk bëhet bashkim i viteve për të përmbushur kriteret, por çdo shtet llogarit pensionin sipas viteve të kontribuara në territorin e vet. Për shembull, nëse dikush ka 14 vite në Shqipëri dhe 19 në Itali, përfiton pension të ndarë nga të dyja vendet”, thotë Hado.

Në këtë periudhë verore kur shumë emigrantë kthehen në atdhe, autoritetet u bëjnë thirrje që të mos paraqiten fizikisht në institucionet e sigurimeve, por të ndjekin aplikimin vetëm online, në vendin ku ndodhen./Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu