Gazetari Osman Stafa ka reaguar me ironi dhe revoltë ndaj debatit publik ku komentatori sportiv Dritan Shakohoxha i kundërvihet një ekonomisti me eksperiencë, si Arben Malaj, në lidhje me çmimet e jashtëzakonshme të banesave në Shqipëri.

“Në Shqipëri ka ndodhur një ‘mrekulli’: çmimet e banesave kanë arritur nivelet e Berlinit, ndërsa rrogat s’kanë lëvizur nga Vlora”, shkruan Stafa, duke përshkruar situatën absurde në të cilën qytetari i zakonshëm shqiptar nuk e blen dot më një banesë.

Ai ironizon mënyrën se si Shakohoxha, i njohur për pasionin e tij për sportin, reagon në debat me ish-ministrin e Financave, i cili flet për pastrim parash dhe inflacion të gjeneruar nga para të padeklaruara. Në vend që të dëgjojë faktet dhe argumentet e një profesionisti, Shakohoxha “ngre zërin” si në një komentim futbolli – pa statistika, pa thellim, por me shumë emocione.

“Seriozisht e ke?!”, ishte ndërhyrja e tij ndaj Malajt – si të bëhej fjalë për një penallti të kontestuar dhe jo për dramën sociale të mijëra familjeve që jetojnë me qira, ndërsa Tirana ndërtohet për interesa mafioze dhe investitorë anonimë.

“Atmosferë ka vetëm në stadium”, shkruan Stafa. “Në tregun e pasurive të paluajtshme ka vetëm beton dhe pastrim parash – një krim që ngrihet kat më kat.”

Në fund, gazetari i drejtohet me një pyetje direkte Shakohoxhës: A do të mundej ai vetë të blinte një shtëpi sot në Tiranë vetëm me pagën e një komentatori sportiv? Nëse po, le ta tregojë sekretin dhe le të na ndihmojë të gjithëve të mbijetojmë në këtë treg absurd.

Ky reagim vjen në një kohë kur kriza e strehimit në Shqipëri po thellohet dhe për shumë familje blerja e një banese mbetet një ëndërr gjithnjë e më larg. Por më shqetësuese është mungesa e vullnetit për të dëgjuar ekspertët, teksa zërat që paralajmërojnë për katastrofën ekonomike trajtohen si “prishës atmosfere”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu