
Policia Kombëtare e Filipineve ka nisur një fushatë të pazakontë, por tejet serioze: të gjithë efektivët me mbipeshë janë urdhëruar të humbasin kile, përndryshe do të përballen me pasoja të rënda, përfshirë largimin nga detyra.
Në kuadër të kësaj nisme, e cila po zbaton urdhrat e Gjeneralit Nicolas D. Torre III – Shefi i ri i Policisë Kombëtare – janë organizuar seanca të përditshme aktivitetesh fizike si Zumba, të cilat kanë bërë xhiron e rrjetit për shkak të natyrës së tyre jo të zakonshme për një institucion policor.
Qëllimi, sipas drejtuesve të policisë, është të rikthehet disiplina, performanca dhe besimi i publikut në një forcë që po përballet me kritika për imazh të dobët fizik dhe mungesë profesionalizmi.
Por reagimet nga qytetarët dhe ekspertët nuk kanë munguar. Shumë e kanë quajtur këtë një metodë që synon “turpërimin publik” të punonjësve, ndërsa të tjerë kërkojnë zëvendësimin e Zumbës me trajnime ushtarake të mirëfillta.
“Zumba nuk është stërvitje për polici. Po duan show për kamera, jo rezultat,” shprehet një komentues në rrjetet sociale.
Megjithatë, komanda e policisë është e qartë: efektivët duhet të tregojnë përmirësim të matshëm në peshë brenda afatit të caktuar, ose do të merren masa disiplinore deri në shkarkim nga detyra.
Sipas burimeve lokale, janë vendosur edhe kritere konkrete për indeksin e masës trupore (BMI), të cilat do të kontrollohen në mënyrë periodike.
Fushata e re ngre pyetje serioze mbi qasjen që duhet të ketë një institucion i sigurisë ndaj shëndetit fizik të punonjësve të tij: a duhet të jetë detyrim, apo mbështetje? Dhe deri ku duhet të shkojë presioni ndaj efektivëve për paraqitje fizike?
–