
Tiranë, 27 Qershor 2025 – Pas paraqitjes së tij në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka lëshuar akuza të forta ndaj institucionit dhe asaj që ai e quajti “krimi elektoral i institucionalizuar”.
“Isha këtu për denoncimet që kemi bërë gjatë fushatës elektorale. Dhe task-forca që u ngrit për të hetuar krimin elektoral, vdiq pa u ngritur akoma,” deklaroi Noka për mediat pas daljes nga SPAK.
Sipas tij, megjithëse u premtua se që në janar 2025 do të niste ndëshkimi i krimeve zgjedhore, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. “Krimi elektoral sot është duke sfiduar edhe godinën e SPAK-ut. Është më i institucionalizuar se kurrë më parë dhe vendos fatin e votës së shqiptarëve,” shtoi ai.
Noka theksoi se PD dhe opozita kanë dorëzuar dhjetëra kallëzime dhe referime që përfshijnë zona të ndryshme të vendit si Durrësi, Vora, Elbasani, Shkodra, Fieri, Vlora dhe të gjithë Shqipërinë. Megjithatë, ai u shpreh i zhgënjyer që nuk ka pasur asnjë reagim institucional.
“Ne nuk jemi organ hetimor. Organi hetimor është ky këtu mbrapa, por nuk ka vepruar,” theksoi deputeti demokrat, duke përsëritur se “task-forca elektorale për krimin zgjedhor vdiq ditën që u krijua”.
Deklarata e Nokës vjen në një kohë kur SPAK ndodhet nën presion në rritje për të hetuar krimet zgjedhore të denoncuara nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile.