
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gold”, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti që rrezikonte të përfundonte në tragjedi.
Ngjarja ka ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku sipas njoftimit zyrtar, dy persona janë konfliktuar fizikisht. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit F. G., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se pas një sherri për motive të dobëta, ka goditur me thikë shtetasin N. M., 38 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital.
Hetimet zbuluan se pas ngjarjes, F. G. është kthyer në banesë ku mbante të fshehur pa leje një armë zjarri kallashnikov, të cilën më pas e ka transportuar dhe e ka fshehur në rrugën “Mujo Ulqinaku”, së bashku me thikën e përdorur në konflikt.
Të dy armët – kallashnikovi dhe mjeti prerës – janë sekuestruar nga Policia, ndërsa ndaj 45-vjeçarit kanë nisur procedurat penale për plagosje të rëndë, mbajtje pa leje të armës së zjarrit dhe fshehje të provave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme hetimore.