
Një zbulim i rrallë dhe historik është bërë nga shkencëtarët francezë, të cilët kanë identifikuar një grup të ri gjaku, i 48-ti në botë. Lajmin e ka konfirmuar vetë Etablissement Français du Sang (EFS), agjencia franceze e furnizimit me gjak, përmes një deklarate zyrtare.
Grupi i ri i gjakut, i quajtur “Gwada negativ”, është identifikuar tek një grua nga ishulli i Guadelupes, në Karaibe – një territor francez. Ajo është personi i vetëm i njohur në botë që ka këtë grup të rrallë gjaku.
Zbulimi vjen pas 15 vitesh analizash që nisën kur gruaja iu nënshtrua disa testeve rutinë para një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjatë këtyre testeve, mjekët zbuluan karakteristika të pazakonta që nuk përputheshin me asnjë nga sistemet e njohura të grupeve të gjakut.
“EFS sapo ka zbuluar sistemin e 48-të të grupit të gjakut në botë!” thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar edhe në rrjetin social LinkedIn, ku gjithashtu u bë e ditur se ky zbulim është njohur zyrtarisht nga Shoqata Ndërkombëtare e Transfuzionit të Gjakut (ISBT).
Ky përparim shkencor pritet të ketë impakt të rëndësishëm në fushën e mjekësisë dhe transfuzionit, veçanërisht për pacientët me grupe të rralla gjaku dhe për studimin e diversitetit gjenetik.