33 vite më parë, Irfan Bratko mbërriti në Itali si emigrant nga Shqipëria. Sot, ai është një nga emrat më të rëndësishëm të rajonit të Venetos në sektorin e energjisë së rinovueshme, duke drejtuar kompaninë Alba Srl, lidere në montimin e sistemeve fotovoltaike, me mbi 120 punonjës.
Në një vizitë në ambientet e kompanisë së tij në Padova, Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, vlerësoi rrugëtimin dhe kontributin e Bratkos në promovimin e vlerave shqiptare në diasporë.
“Ju përshëndes nga Çitadela në Padova, ku kam pranë meje një prej emigrantëve të parë shqiptarë të mbërritur në vitin 1992, Irfan Bratko. Në fakt, vëllai im mbërriti me eksodin e ’91-shit, dhe më pas erdhi Irfani. Sot, ai është një ndër konstruktorët më të rëndësishëm në fushën e vendosjes së paneleve fotovoltaike dhe prodhimit të energjisë diellore në këtë rajon,” u shpreh Balla.
Ministri vizitoi nga afër ambientet e kompanisë Alba Srl, duke e cilësuar sipërmarrësin si një model të njerëzve që përfaqësojnë më të mirën e Shqipërisë në Europë e me të cilët do përshkohet rruga drejt anëtarësimit.
“Jam shumë krenar që ndodhem në këtë sipërmarrje që mban emrin e bukur ‘Alba’. Njerëz si Irfan i bëjnë nder Shqipërisë dhe shqiptarëve me suksesin e tyre”, tha Balla.
Nga ana e tij, Irfan Bratko theksoi se çelësi i suksesit qëndron te përkushtimi dhe ndershmëria:
“Punoni dhe jini të ndershëm nga të gjitha anët, sepse vetëm kështu mund të jeni të suksesshëm.”
Historitë si ajo e Irfan Bratkos janë dëshmi e gjallë e kontributit që diaspora shqiptare i jep jo vetëm vendit të origjinës, por edhe vendeve ku jetojnë dhe punojnë, duke u bërë pionierë të ndërtimit të urave  të para të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu