Të paktën 15 persona janë plagosur dhe një zjarr i madh ka shpërthyer në qytetin e Haifës, në veri të Izraelit, pas një sulmi me raketa nga Irani, konfirmuan shërbimet e emergjencës mbrëmjen e së dielës njofton Jerusalem Post.

Sipas organizatës së ndihmës mjekësore Magen David Adom, ndër të plagosurit është një grua 62-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje mesatare për shkak të thithjes së tymit, si dhe tre persona të tjerë me lëndime të lehta dhe tre që kanë pësuar sulme ankthi.

Organizata ZAKA njoftoi për një goditje të drejtpërdrejtë në një ndërtesë banimi në Haifa, ndërsa shërbimet zjarrfikëse raportuan dëme të mëdha dhe shpërthim zjarri në vendin e ngjarjes.

Sipas burimeve të Walla News, 28 raketa janë lëshuar nga Irani drejt territorit izraelit. Shumë prej tyre janë kapur nga sistemi mbrojtës ajror, por disa kanë arritur të godasin objektiva civile.

“Deri tani kemi trajtuar rreth 15 persona me plagë të lehta. Disa janë foshnja që kanë thithur tym,” – deklaroi Naftali Rothenberg, drejtues i rajonit Carmel të United Hatzalah, nga vendi ku një raketë goditi drejtpërdrejt në Haifa.

Gjithashtu, disa shtëpi janë dëmtuar rëndë në zonën përreth. Në veri, disa nga të plagosurit janë dërguar në Spitalin Bnei Zion, përfshirë një grua 46-vjeçare e cila ka marrë plagë të lehta nga copëzat e raketës.

Ndërkohë në jug të Izraelit, Policia izraelite njoftoi se disa ndërtesa janë dëmtuar nga copëzat, por fatmirësisht nuk ka të plagosur në atë zonë.

United Hatzalah shtoi se ka marrë disa raportime për impakte të tjera në mbarë vendin, teksa tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm që nga 13 qershori, kur filloi ofensiva ajrore izraelite ndaj objektivave strategjike iraniane.

Ngjarja e sotme është zhvillimi më i fundit në një konflikt që rrezikon të përshkallëzohet në një luftë rajonale më të gjerë. Izraeli deri tani nuk ka konfirmuar kundërpërgjigjen e tij ndaj sulmit të fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu