Në ditën e mbylljes së të kremtes së Pentikostisë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Joani, mbajti fjalimin e tij të parë ndërkombëtar gjatë vizitës së tij zyrtare në Patriarkanën Ekumenike në Fanar, ku u prit me nderime të veçanta nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu.

Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, Kryepiskopi Joani shprehu falënderime të sinqerta për mikpritjen dhe theksoi se kjo vizitë paqësore, siç është zakoni për Primatët e sapozgjedhur, është e para në serinë e takimeve me Kishat motra, duke nisur me Fronin e Nderuar Ekumenik.

Në fjalën e tij, Imzot Joani nënvizoi lidhjet e lashta të Orthodhoksisë shqiptare me predikimin apostolik, duke përmendur rrugën e Egnatias dhe misionin e Apostull Palit që mbërriti deri në Ilirik, duke e bërë Kishën e Shqipërisë një Kishë apostolike.

Ai theksoi dy momente historike vendimtare ku Patriarkana Ekumenike luajti rol kyç për Orthodhoksinë shqiptare: dhënien e Autoqefalisë më 12 prill 1937 dhe rikthimin e jetës kishtare pas periudhës komuniste, me dërgimin e Hirësisë së Tij, Episkopit Anastas, në vitin 1991.

“Falë Frymës së Shenjtë dhe dashurisë atërore të Patriarkanës, Kisha jonë ringjalli nga rrënojat dhe jeton sot një periudhë të re apostolike”, deklaroi Kryepiskopi Joani, duke renditur ndër të tjera ndërtimin e mbi 160 kishave, rindërtimin e 5 manastireve, dhe funksionimin e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe Kolegjit Universitar “LOGOS”.

Duke i drejtuar një falënderim të posaçëm Patriarkut Vartholome për dashurinë dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Joani theksoi gjithashtu rolin thelbësor të Patriarkanës Ekumenike në ruajtjen e unitetit të Orthodhoksisë në botën bashkëkohore të trazuar.

Takimi në Fanar shënon një moment të rëndësishëm për afirmimin e rrugës së re të Kishës së Shqipërisë nën drejtimin e Kryepiskopit Joanit, me theks në dialogun vëllazëror, traditën apostolike dhe ringritjen shpirtërore pas dekadash persekutimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu