
Paradite në punë, pasdite në plazh. Kjo është formula e re me anë të së cilës po përpiqet të joshen të rinjtë dhe të rejat për të punuar në sektorin e turizmit.
“Është një kombinim në fakt. Të gjithë e dimë që bizneset në fushën e turizmit tashmë po ofrojnë kushte më të mira, përfshirë edhe akomodimin për punonjësit”, thotë për A2 CNN Gertiola Çepani, përgjegjëse e Shërbimit të Punësimit në AKPA.
Kriza, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, e ka kthyer këtë vit vëmendjen e bizneseve, si kurrë më parë, te punonjësit — me paga më të larta dhe të shpërndara në profile të ndryshme. “Për pesëmujorin e parë kemi mbi 6 mijë vende pune të shpallura në sektorin e turizmit, dhe aktualisht janë mbi 2 mijë të tilla. Mjafton të klikojnë dhe të shikojnë pozicionet e shpallura. Ndër pozicionet që kryesojnë janë ato me formim të ulët dhe të mesëm, si kamerierë, banakierë, kuzhinierë, etj.”, thotë Çepani.
Me gjithë interesin e shfaqur nga punonjësit për të përfituar nga formula “Paradite në punë, pasdite në plazh”, sërish numri i tyre nuk mjafton për të përballuar flukset e shtuara të turistëve. Ndaj, sytë vijojnë të mbahen te të huajt.
“Rreth 10 për qind e atyre që kanë aplikuar janë shtetas të huaj, të interesuar për të punuar në sektorin e turizmit”, thotë Çepani.
Për të zbutur sa më shumë krizën për fuqi punëtore, qeveria pritet të vërë së shpejti në zbatim edhe formulën “Trajnim duke punuar, kundrejt pagesës.” Skema do të bashkë-financohet nga qeveria dhe sipërmarrjet.