Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, duke përdorur plot 479 dronë, njofton Forca Ajrore e Ukrainës. Sipas të dhënave zyrtare, 460 dronë janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore ukrainase, bashkë me 19 nga 20 raketat që u lëshuan nga forcat ruse.

Ndërkohë, ushtria ukrainase raporton se ka goditur dy avionë rusë në bazën ajrore ushtarake Savaslevka, në territorin e Rusisë. “Sipas informacionit paraprak, janë goditur dy avionë të armikut – ndoshta një MiG-31 dhe një Su-30/34”, bëhet e ditur në një postim zyrtar të publikuar në rrjetin Telegram.

Ky përshkallëzim i luftimeve vjen në prag të një shkëmbimi të paralajmëruar të robërve dhe trupave të ushtarëve të rënë mes Ukrainës dhe Rusisë. Sipas shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kirilo Budanov, shkëmbimi ishte planifikuar për fundjavën, por do të zhvillohet gjatë kësaj jave.

Lufta në Ukrainë vijon të jetë intensive, ndërsa të dyja palët përforcojnë pozicionet e tyre ushtarake në terren dhe në ajër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu