
Një lagje në Minneapolis të SHBA-së ka një traditë vjetore që i lë të gjithë gojëhapur: banorët mblidhen për të festuar… mprehjen e një lapsi gjigant 6 metra të gjatë!
Kjo ceremoni unike zhvillohet në lagjen buzë liqenit Lake of the Isles, ku qindra banorë bashkohen çdo qershor për të parë një skulpturë të veçantë prej druri — një laps klasik “No. 2” — të mprehet si një laps i zakonshëm. Skulptura është realizuar nga një trung lis i madh që u dëmtua nga një stuhi disa vite më parë në oborrin e çiftit John dhe Amy Higgins. Në vend që ta prisnin, ata vendosën t’i jepnin një jetë të re duke e kthyer në një vepër arti për gjithë komunitetin.
Rituali është kthyer në festë të vërtetë: njerëzit vishen si lapsa ose fshirëse, luhen instrumente tradicionale zvicerane, dhe këtë vit u shpërndanë edhe lapsa të vegjël ngjyrë vjollcë në nder të ikonës së Minneapolis-it, këngëtarit të ndjerë Prince, në ditëlindjen e tij të 67-të.
“Pse laps? Sepse të gjithë e përdorin. Është universal. Shkolla, puna, vizatimi — kush nuk ka një kujtim me laps?” – thotë Amy Higgins.
Skulptori i drurit, Curtis Ingvoldstad, mori përsipër sfidën artistike për ta kthyer trungun në një laps besnik të markës amerikane “Trusty No. 2”. Ai e sheh lapsin si një simbol ripërtëritjeje.
“Çdo vit e mprehim dhe e bëjmë pak më të shkurtër. Por kjo është pjesë e magjisë: është një sakrificë që sjell bashkim”, – thotë ai.
“Ne themi se maja është topitur, por ne e mprehim përsëri. Kështu rifillojmë: mund të shkruajmë një letër dashurie, një listë me gjëra për të bërë, apo një problem matematikor. Është simboli i një fillimi të ri,” – shton John Higgins.
Për të realizuar mprehjen, përdorin një mprehëse gjigante të ndërtuar enkas, të ngjitur me skelë në oborrin e shtëpisë. Dhe, ashtu si një laps i zakonshëm, edhe ky laps gjigant po shkurtohet pak nga pak çdo vit.
Një traditë që nuk ka të ngjashme askund tjetër, ku arti, komuniteti dhe absurdi ndërthuren në një festë plot ngjyra dhe kreativitet!