
Në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, prezantoi sot tre marrëveshje kyçe ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, me fokus të veçantë në mbështetjen për punësimin e të rinjve, zhvillimin digjital dhe përmirësimin e eficiencës së energjisë.
Gjatë prezantimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për punësimin e të rinjve për periudhën 2024-2027, në kuadër të IPA III”, ministri Balla theksoi se kjo marrëveshje do të ndihmojë në parandalimin e emigrimit përmes rritjes së mundësive të karrierës dhe përmirësimit të arsimit profesional, në veçanti për të rinjtë nën moshën 30 vjeç dhe grupet vulnerabël. Programi përfshin edhe bursa dhe asistencë për studentët që përballen me vështirësi në procesin arsimor.
“Programi synon të adresojë sfidat që kanë të rinjtë në aksesin dhe në mundësitë e punësimit, si dhe në zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës, me qëllim uljen e mungesës së perspektivave. Ajo që është më e rëndësishme se gjithçka tjetër është parandalimi i emigrimit, dhe ky program do të mbështesë fazën e hapjes së planit të garancisë rinore. Na takon t’i pajisim të rinjtë tanë me më shumë dije dhe aftësi profesionale për t’u përballur me sfidat e tregut të punës europian,” – tha Balla, duke përmendur se vlera totale e këtij programi është 63.48 milionë euro, prej të cilave 50 milionë euro janë financim i drejtpërdrejtë nga BE dhe 13.48 milionë euro, ose 21% e mbështetjes, janë kontribut i qeverisë shqiptare.
Sa i përket projektligjit që lidhet me një program operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë digjitale 2024-2027, Balla deklaroi se kjo marrëveshje synon ndërhyrje në katër fusha kryesore: digjitalizimin e shërbimeve për biznesin, rritjen e aftësive digjitale, digjitalizimin e arsimit dhe ndërtimin e një shoqërie me qytetarë digjitalë.
Një tjetër element kyç i këtij projekti është digjitalizimi i shëndetësisë, përmes ngritjes së regjistrit elektronik shëndetësor:
“Duam t’i japim fund sorollatjeve të pacientëve me dokumente në dorë. Synojmë sistem elektronik që përfshin recetat, ekzaminimet laboratorike, radiologjinë dhe të dhënat e pacientëve në një platformë të unifikuar,” – deklaroi Balla.
Pjesë e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje është edhe siguria kibernetike dhe modernizimi i sistemit tatimor në përputhje me standardet e BE, si dhe investimet në rrjetet dixhitale të shpejta, përfshirë 5G.
Kostoja totale e programit është 44 milionë euro, ku 30 milionë euro janë grant nga Komisioni Europian dhe pjesa tjetër bashkëfinancim nga buxheti i shtetit shqiptar.
Marrëveshja tjetër, e prezantuar nga ministri Balla, ka të bëjë me bashkëpunimin për energjinë dhe eficiencën energjetike. Ai theksoi se përmes këtij programi Shqipëria angazhohet të përmbushë objektivat e BE-së për kursimin e energjisë dhe reduktimin e konsumit primar.
“Duhet të rrisim kapacitetet tona përpara vitit 2030 në përputhje me direktivën 2012/27 të BE-së për eficiencën e energjisë,” – tha Balla.
Ky program përfshin ndërhyrje në pesë fusha: promovimin e energjisë së rinovueshme, rrjetet e karikimit për automjetet elektrike, eficienca në sektorin e ujit dhe ndërtesave, etiketimi i ndërtesave sipas standardeve të BE-së, si dhe forcimi i kapaciteteve të autoriteteve menaxhuese.
“Do të vendosen 130 stacione të reja karikimi për automjetet elektrike dhe do të mbështetet implementimi i masave për uljen e konsumit të energjisë në objektet publike dhe industriale,” – tha ministri.
Vlera totale e këtij programi është 79 milionë euro, ku kontributi i Komisionit Europian është 50 milionë euro, ndërsa 29 milionë euro janë bashkëfinancim i qeverisë shqiptare. Në përqindje, qeveria shqiptare në bashkëfinancimin kombëtar mbulon 36.7%, ndërsa pjesa tjetër i takon BE-së.
“Në këtë muaj presim të hapim të gjithë kapitujt e negociatave me BE dhe synojmë t’i mbyllim ata përpara Krishtlindjeve të vitit 2027. Shqipëria është gati për dasmën me Bashkimin Europian,” – deklaroi Balla gjatë prezantimit.
Ministri Balla e vlerësoi momentin aktual si historik për rrugëtimin europian të Shqipërisë.