
Një e re 19-vjeçare nga Serbia humbi jetën tragjikisht pasi hoqi rripin e sigurimit dhe u shkëput nga parashuta. Ajo ra nga një lartësi prej 50 metrash në brigjet e Adriatikut, në Budva të Malit të Zi.
Viktima, Tihana Randonjiç nga Novi Sadi, ndodhej me pushime, ndërsa po xhirohej dhe një video promovuese për një agjenci turistike lokale.
Sipas mediave, vajza ka filluar të tërheqë në mënyrë të pakontrolluar litarët, para se të shkëpuste rripin e sigurisë dhe të rrëzohej. Sipas dëshmitarëve në plazh, ajo bërtiti me panik: “Ndihmë!”, pak çaste para rënies fatale.
Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa po shqyrtohen edhe pamjet e një videoje publicitare në të cilën ajo shfaqej me bikini duke fluturuar mbi rivierën e Budvas, e buzëqeshur dhe e qetë.
Pronarja e agjencisë turistike që organizoi aktivitetin u shpreh se nuk dihet arsyeja e heqjes sw rripit tw sigurisë.
“Ndoshta nuk ishte një veprim i vetëdijshëm, por një akt i frikës ekstreme,” shtoi ajo.
Policia lokale ka nisur hetimet, por ende nuk ka një arsye për ngjarjen./Klan