Jahti luksoz i miliarderit amerikan Jeff Bezos, “Abeona”, është ankoruar këtë të premte në portin e Durrësit për furnizim me karburant dhe logjistikë detare. Superjahti, i pagëzuar me emrin e perëndeshës romake të udhëtimeve, është ndalur në kalatën nr. 5, ku pritet të marrë plot 95 mijë litra karburant, si dhe furnizime të tjera për lundrimin e mëtejshëm.

Kjo ndalesë në brigjet shqiptare vjen ndërsa “Abeona” lëviz në Adriatik dhe pritet të ndalet në Venecia, ku mediat ndërkombëtare raportojnë se do të mbahet dasma e Jeff Bezos, themeluesit të Amazon dhe një prej njerëzve më të pasur në botë.

Me një ekuipazh prej 26 marinarësh, jahti do të largohet nga Durrësi po sot, duke vazhduar udhëtimin drejt Kroacisë, përpara se të mbërrijë në Itali.

Jahti, i lançuar në vitin 2023 nga kompania prestigjioze Damen Yachting, përfaqëson një majë të re në ndërtimin detar. Me një gjatësi prej 76 metrash dhe gjerësi 12 metra, superstruktura e tij prej alumini është projektuar për lundrime të gjata, me luks dhe siguri maksimale. “Abeona” lundron nën flamurin e Ishujve Kajman dhe mbërriti në Durrës nga porti francez i La Ciotat.

Ndonëse i njohur për jetën ekstravagante, ndalesa për karburant në Durrës është përshëndetur si një zgjedhje “praktike” nga ndjekësit e miliarderit – duke i shtuar edhe një nuancë ironike portretit të tij si “kursimtari” më luksoz i botës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu