Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër nga qelia, pas përfundimit të hetimeve nga SPAK ndaj tij, duke e quajtur të gjithë procesin një “farsë hetimore” dhe një “instrument politik në shërbim të Edi Ramës”.

Në një deklaratë të shpërndarë nga bashkëpunëtorët e tij, Meta thekson se hetimet e nisura në dhjetor 2019 janë zvarritur qëllimisht për shkak të zgjedhjeve, ndërsa arrestimi i tij më 21 tetor 2024, sipas tij, ishte një “rrëmbim kriminal” që u pa nga e gjithë bota.

“Përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani. Pres me padurim nisjen e gjykimit publik, që do të faktojë se SPAK është një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e Metës.

Meta akuzon organin e posaçëm të drejtësisë për përdorim selektiv të ligjit dhe për shmangie të vëmendjes nga “krimet zgjedhore”, ndërsa shton se akuzat ndaj tij janë pa asnjë provë konkrete.

“SPAK-u nuk sheh krimin e inceneratorit që nuk ekziston, por lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar të largohen. Kjo është një skemë e pastër për të garantuar mandate të përjetshme për veten,” u shpreh Meta.

Ai paralajmëron një përballje të plotë me drejtësinë, ku, sipas tij, do të demaskohet secila nga akuzat dhe dëshmitarët që ai i quan “të prodhuar nga Edi Rama” dhe “pa integritet”.

“Ne do të ballafaqohemi me të gjitha pseudoakuzat, me të gjithë dëshmitarët që kanë pasur probleme me drejtësinë. Kjo farsë do të shpartallohet plotësisht,” përfundon Meta, duke iu referuar vetes si ish-President i Republikës dhe kreu aktual i Partisë së Lirisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu