
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj takimit të djeshëm të kryeministrit Edi Rama me anëtarët e Partisë Socialiste, duke e quajtur një “skenë mortore” dhe “kërcënim publik” për demokracinë në vend.
Në një deklaratë të bërë sot, Berisha e krahasoi takimin me një mbledhje mafioze, ku sipas tij, kryeministri Rama doli përballë një audience të përfaqësuesve të krimit të organizuar, të lidhur me bandat dhe kartelet më famëkeqe në Shqipëri dhe më gjerë.
“Dje pasdite, siç e panë shqiptarët, u zhvillua para syve të tyre një takim në të gjithë përmasat e tij, tiparen dhe frymën, sikur Toto Rina takonte bashkëpunëtorët e tij,” tha Berisha, duke shtuar se në fytyrat e të pranishmëve nuk shihje asnjë buzëqeshje apo reagim, sikur të ishte një “takim mortor”.
Ai akuzoi Ramën se përmes këtij takimi u dërgoi një mesazh kërcënues qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u thënë hapur se “Spak-u është kërbaçi” në duart e tij.
“Lëvizët, po deshët, u tha atyre, ja ku e keni Spakun që është në duart e mia… Edhe Enver Hoxha një takim të tillë kërcënues vështirë se do ta arrinte,” theksoi Berisha.
Sipas tij, parlamenti i ri është produkt i një “farse elektorale”, i mbushur me figura të inkriminuara që përfaqësojnë interesa të errëta dhe kriminale.
Deklarata vjen në një klimë të tensionuar politike, pas zgjedhjeve dhe mes akuzash të ndërsjella për manipulime dhe ndikim kriminal në procesin zgjedhor.