
Tiranë, 24 Maj 2025 – Nëse je zgjuar sot dhe mendon se të kanë vjedhur makinën, mos e merr me panik – ndoshta thjesht e ke parkuar ku s’të takon. Policia Rrugore e Tiranës ka qenë në aksion dhe ka spostuar 10 automjete të parkuara në mënyrë të gabuar në vendqëndrime autobusi, korsi biçikletash dhe vendkalime për këmbësorë.
Nëse makina jote “ka humbur” papritur, mos vrapo te kamerat e pallatit – më mirë hidh një sy te komisariati i njësisë administrative ku banon, se ka shumë gjasa ta gjesh aty, bashkë me një gjobë si për kujtim!
View this post on Instagram
Policia thotë se këto masa janë pjesë e një operacioni për rritjen e sigurisë rrugore dhe për të liruar hapësirat publike që përditë bllokohen nga parkime pa mend e pa mëshirë. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë bërë edhe verifikimin e dokumentacionit dhe kanë shpërndarë masa administrative sipas ligjit – ose siç i njohim ndryshe: gjobat që të bëjnë të parkosh më me mend herën tjetër.
Fushata e “pastrimit” nga parkimet e paligjshme do të vijojë në të gjithë kryeqytetin. Ndaj, nëse nuk do që të gjesh vendin bosh dhe veten në radhë te komisariati, mos blloko korsi biçikletash, stacione autobusi apo vendkalime për këmbësorë.
Policia, gjithashtu, u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë raste të tilla. Se një selfie me makinën që largohet në vinç nuk është aspak “trendy”.