Nga mëngjesi i sotëm në ishullin Capri në Itali mund të zbarkojnë vetëm banorët, por jo turistët për shkak të defektit në tubacionin që furnizon ishullin. Pa furnizime, tha kryetari i bashkisë është e pamundur të garantohen shërbimet thelbësore duke marrë parasysh “mijëra njerëz” që mbërrijnë çdo ditë gjatë sezonit turistik.
Rrjeti furnizohet vetëm nga rezervuarët lokalë, të cilët, në mungesë të furnizimeve nga kontinenti, rrezikojnë të mbarojnë.
Administratat komunale të Caprit dhe Anacapri kanë krijuar një njësi të përbashkët të krizës, në të cilën merr pjesë edhe shoqata e hotelierëve.
Dyshohet se mund të jetë krijuar një bllokim brenda tubacioneve, gjë që pengon ujin të arrijë në rrjetin e shpërndarjes së ishullit. Si masë paraprake, popullsia po blen ujë në dyqane dhe supermarkete. Transporti i mallrave dhe të gjitha furnizimeve të tjera vazhdon rregullisht.
Në pritje të zgjidhjes, një cisternë do të vihet në dispozicion për të furnizuar ishullin Capri me ujë të pijshëm. Cisterna do të jetë e pranishme në Piazzale Europa nga ora 15:00 “Qytetarët me banim në Bashkinë e Kaprit që kanë nevoja do të mund të shkojnë, të pajisur me kontejnerët e tyre, për të mbledhur një sasi maksimale prej 25 litrash për njësi familjare”, njoftohet nga Bashkia.
Radhë dhe shqetësime në portet e nisjes
Ndalimi i zbarkimit të turistëve në Capri për shkak të krizës së ujit po shkakton pasoja në portet e nisjes drejt ishullit një destinacion i famshëm pushimesh.
Urdhri i kryebashkiakut të Caprit u njoftua pak pas orës nëntë (në disa raste nga policia direkt në arkat e kompanisë), duke shkaktuar ndalimin e menjëhershëm të biletave; anijet që ishin nisur tashmë për në Kapri u kontaktuan me radio nga autoriteti detar i cili urdhëroi kthimin e tyre në port dhe zbarkimin e pasagjerëve.
Kompanitë po rimbursojnë qindra bileta.