OKB paralajmëron se në rast se nuk dërgohen ndihma, brenda 48 orëve të ardhshme rrezikohet jeta e 14 mijë foshnjeve në Gaza. Situata alarmante vjen pasi Izraeli nuk ka lejuar futjen e sasisë bazë të ushqimit në Rripin e Gazës për më shumë se 11 javë tashmë, si një lloj presioni ndaj Hamasit.

Nuk kanë munguar as operacionet tokësore gjatë fundjavës, ndërsa vijojnë sulmet ajrore. E vetmja gjë që mund ta ndalojë Izraelin në këtë pikë është “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi”. Por Hamasi kërkon një marrëveshje të plotë për këtë dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm.

Në mes të gjithë këtij kaosi, kriza e urisë në Gaza ka prekur limitet.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se “nuk bëhet asnjë hap pas nga luftimet masive deri në marrjen e kontrollit të plotë të Rripit të Gazës”. “Ne kemi ofruar ndihmën tonë gjatë luftës, por kuptuam se Hamasi po plaçkiste nga këto ndihma, kështu që i ndërpremë”, ka shtuar ai.

Shqetësimi është rritur, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, Franca e Kanadaja i bënë thirrje Izraelit të ndalojë ofensivën dhe të rrisë fluksin e ndihmave./tvklan.al

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu