
“Popullsia e Shqipërisë në tre muajit e parë të 2025 ka shënuar shtesë natyrore negative, për shkak se numri i vdekjeve është më i madh se lindjet. Sipas INSTAT numri i lindjeve në tremujorin e parë të këtij viti ka rënë me mbi 14%”, raporton gazetarja Ermelinda Hoxhaj.
Sipas sociologut Gëzim Tushi, ulja e lindshmërisë ka disa faktor përfshi ata social por edhe ekonomik.
“Emancipimi i femrës është sot padiskutim një element tjetër shumë i rëndësishëm. Femrat e sotshme jetojnë në këtë realitet kapitalist. Kanë edhe ato synimet e tyre të karrierës, suksesit, të parasë. Pra, siç duket, lindshmëria nuk është më ideali kryesor i familjes shqiptare. Kjo tregon që famillja po bëhet moderne, bërthamore. Sot janë pretendimet shumë të mëdha. Rritja e një fëmije është jashtëzakonisht kosto”, tha sociologu Gëzim Tushi.
Një shkaktar tjetër i rëndësishëm i uljes së lindshmërisë është edhe emigracioni.
“Emigracioni është shumë i rëndësishëm në rënien e natalitetit sepse në përgjithësi ata që largohen nga Shqipëria, janë riprodhuesit, janë ata që seksualisht janë të aftë për të riprodhuar. Kështu që largimi i tyre, bën që ata fëmijë që duhet të lindnin këtu, lindin jashtë. Dhe ata nacializohen, ambientohen, bëhen francezë, gjermanë, anglezë dhe nuk i kemi ne këtu”, tha Tushi.
Sipas tij, heqja e bonusit dhe futja e një pagese mujore për fëmijët ashtu siç është premtuar gjatë fushatës elektorale, është një masë pozitive.
“Duhet një strategji kombëtare për të përcaktuar se cilët janë faktorët… duke bërë një diagonstikim të plotë të shkaqeve, ekonomike, sociale, psikologjike, kulturore. Të intervenohet pastaj me masa të caktuara siç është fakti që është thënë gjatë fushatës. Ideja e bonusit të dikurshëm, 400 mijë, 800 mijë, 1 milionë e 200 mijë Lekë të vjetra do të zevëndësohet me politika monetariste, me shpërblim për fëmijët që do të sjellin në jetë. Unë mendoj që është një masë”, tha Tushi.
INSTAT raporton se të gjitha qarqet regjistruan rënie të popullsisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në tremujorin e parë të vitit 2025 shtesa natyrore ishte -883 persona.
Klan News