
New York, 18 maj 2025 – Dy persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur pasi anija stërvitore me vela e Marinës Meksikane “Cuauhtémoc” u përplas me Urën e Bruklinit në New York.
Sipas policisë, në bordin e anijes ndodheshin 277 persona kur ajo humbi fuqinë lundruese të shtunën, ndërsa kapiteni po manovronte për të kaluar nën urë.
Pamjet filmike tregojnë momentin kur direkët e lartë të anijes përplasen dhe thyejnë strukturën e urës, duke rënë më pas në kuvertë. Autoritetet bënë të ditur se disa marinarë ndodheshin mbi direkë në momentin e përplasjes.
View this post on Instagram
Një dëshmitar nga Bruklini, Nick Corso, i tha agjencisë AFP se pas aksidentit u krijua panik i madh: “U dëgjua shumë ulërima, disa marinarë ishin të varur nga direkët.”
Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, konfirmoi në rrjetin X se dy persona kanë ndërruar jetë, ndërsa dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Autoritetet thanë se ura nuk ka pësuar dëmtime serioze dhe është rihapur për kalimtarët pas një inspektimi paraprak.
Sipas policisë, shkaku paraprak i përplasjes duket të jetë një defekt mekanik dhe një ndërprerje e energjisë.
Roja Bregdetare Amerikane bëri të ditur se anijes “Cuauhtémoc” iu shkëputën të tre direkët gjatë incidentit. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë identifikuar dhe asnjë nuk ka rënë në ujë.
Një tjetër dëshmitar, Kelvin Flores, i tha BBC-së se kishte parë përplasjen ndërsa ishte në punë: “Në rrugë kishte shumë zhurmë dhe kaos. Ishin të pranishëm zjarrfikësit dhe policia, por rrugët ishin të bllokuara nga trafiku. Pamjet ishin tronditëse, me barela që transportonin të plagosurit.”
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, shprehu dhimbjen e saj të thellë për humbjen e dy anëtarëve të ekuipazhit në këtë aksident tragjik.
Anija “Cuauhtémoc”, që është 91 metra e gjatë dhe 12 metra e gjerë, është ndërtuar në vitin 1982 dhe përdoret çdo vit nga shkolla ushtarake detare për stërvitjen e kadetëve. Këtë vit ajo ishte nisur nga porti meksikan i Acapulco më 6 prill dhe kishte si destinacion Islandën.
Sipas të dhënave të Marinës Meksikane, direku më i lartë i anijes arrin 48.2 metra lartësi, ndërsa ura e Bruklinit ka një hapësirë prej 41.1 metrash në pjesën e saj qendrore, çka shpjegon përplasjen.
Anija është tërhequr nga vendi i ngjarjes për hetime të mëtejshme.