Filantropi dhe modeli me famë ndërkombëtare, Elton Ilirjani ka bërë një thirrje të fortë publike për mbështetjen e Shqipërisë në finalen e Eurovizion 2025, që mbahet të shtunën, më 17 maj.

Në një reagim të gjatë dhe entuziast në rrjetet sociale, Ilirjani që ngriti peshë shqiptarët 6 muaj më parë duke rehabiliztuar ikonën e muzikës Parashqevi Simani këtë herë përqafon një kauzë tjetër, thekson se për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes shqiptare, kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike është një kandidate serioze për të fituar çmimin e madh.

“E them me bindje të plotë dhe me informacione nga miqtë e mi artistë në Europë: Shqipëria këtë vit mund ta fitojë Eurovizionin,” shkruan Ilirjani. “Imagjinoni dot Eurovizionin e vitit 2026 të mbahet në Tiranë! Kjo do të ishte një krenari kombëtare.”

Ai thekson se mbështetja e diasporës shqiptare dhe shqiptarëve në çdo cep të botës është vendimtare, duke theksuar se votimi është i thjeshtë dhe i arritshëm nga shumica e vendeve.

Si votohet për Shqipërinë?

Në vendet e BE dhe Europës: votimi bëhet përmes SMS, deri në 20 herë nga një numër telefoni.

Jashtë Europës (përfshirë SHBA, Kanada, Australi): votimi bëhet përmes aplikacionit zyrtar Eurovision, ku mund të dërgohen deri në 20 vota përmes një karte krediti.

Ilirjani nënvizon se çdo shqiptar mund të kontribuojë lehtësisht dhe të bëjë diferencën në rezultat, duke i dhënë një mundësi reale Shqipërisë për të fituar për herë të parë Eurovizionin.

“Kënga ‘Zjerm’ është moderne, ka muzikë të jashtëzakonshme dhe performanca e Beatrices është surprizuese për të gjithë. Ka stil, ka energji dhe është përfaqësim i denjë për Shqipërinë në një skenë ndërkombëtare,” shprehet ai.

Në fund, ai bën apel edhe për komunitetin artistik shqiptar:

“Lëreni mënjanë egon dhe xhelozitë. Mbështesni këtë këngë që përfaqëson të gjithë ne. Bashkohuni, votoni dhe ndihmoni Shqipërinë të bëjë historinë.”

Finalja e Eurovision Song Contest 2025 zhvillohet të shtunën, më 17 maj, dhe televotimi do të hapet pas përfundimit të interpretimit të të gjitha këngëve pjesëmarrëse.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu