Teksa procesi i numërimit të votave vijon,Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka reaguar mbi situatën në qendrat e numërimit dhe për fatin e votave të diasporës, në një deklaratë për Top Channel.

I pyetur për votat e diasporës nga Greqia, Balla u shpreh kritik ndaj vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të ndalur numërimin e këtyre votave:

“Ky vendim bie ndesh me frymën e Kodit Zgjedhor. Nuk ka asnjë provë nga Partia Demokratike që justifikon refuzimin e numërimit të votave të diasporës. I siguroj të gjithë bashkatdhetarët tanë se çdo votë do të numërohet,” – deklaroi Balla, duke e cilësuar votën e diasporës si një moment historik për zgjedhjet.

Në lidhje me akuzat për favorizim të opozitës nga ana e Komisionerit, Balla tha se nuk ndjehet i diskriminuar, duke theksuar se të gjitha veprimet e Partisë Socialiste janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Lidhur me rezultatin në rang vendi dhe ndikimin e votës së diasporës, Balla tregoi besim të fortë se Partia Socialiste po shkon drejt një mandati të katërt:

“Në qarqe si Gjirokastra, Vlora, Berati, Fieri, Elbasani, Tirana, Dibra dhe Lezha, votat e diasporës po përforcojnë avantazhin tonë. Në disa zona, diaspora është edhe më mirë se Shqipëria. Në Durrës kemi pritshmëri për një mandat shtesë falë votave nga jashtë,” – u shpreh ai.

Në fund, Balla konfirmoi se edhe në Dibër raporti është pozitiv, por theksoi se gjithçka varet nga ritmi i numërimit:
“Kudo jemi brenda pritshmërive,” – përfundoi ai.

Sipas Ballës, në orën 07:00 të mëngjesit është rënë dakord për të ndërprerë përkohësisht procesin dhe për të rifilluar në orën 10:30, por pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës ka qenë e vonuar:
“Të gjithë numëruesit dhe anëtarët e KZAZ-ve të PS kanë qenë të pranishëm që në orën 10. Tani më informuan që po mbërrijnë edhe përfaqësuesit e opozitës. Thirrja ime shkon për Partinë Demokratike që të kontribuojë në vijueshmërinë e këtij procesi,” – theksoi ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu