
Liderit historik të PD, Sali Berisha iu rezervua një pritje madhështore në mbylljen e fushatës të PD-ASHM në Tiranë. Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Peter Beyer, deputetin e Bundestagut, për mbështetjen e pandërprerë ndaj opozitës dhe Partisë Demokratike, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ardhshëm me kancelarin Friedrich Merz. Berisha vlerësoi gjithashtu Lord Jackson nga Partia Konservatore britanike dhe Chris LaCivita, strategun e fushatës së Donald Trump, për kontributin vendimtar që ata dhanë në këtë periudhë të vështirë, duke siguruar marrëdhënie të ngushta dhe të forta me administratat e ardhshme të Gjermanisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një atmosferë elektrizuese dhe plot shpresë, me qytetarët që besojnë në një të ardhme më të ndritur. Kryetari i PD premtoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, Partia Demokratike do të ndërtojë themelet për realizimin e ëndrrës shqiptare të rinisë, me masa konkrete që do të përmirësojnë ndjeshëm kushte jetese dhe mundësitë për të rinjtë, përfshirë rritjen e pensioneve (minimumi 200 euro), dyfishimin e fondeve për arsimin, heqjen e mesatares për universitet, punësim të garantuar për të diplomuarit dhe mbështetje të madhe për sipërmarrësit e rinj përmes fondit “Startup Albania”.
Lideri Opozitar, Sali Berisha gjithashtu premtoi mbështetje financiare për çiftet e reja dhe familjet, duke siguruar fonde për strehimin dhe ndihmë për rritjen e fëmijëve. Berisha e theksoi 11 Majin si një moment vendimtar, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për çdo qytetar shqiptar, për dinjitetin dhe për të ardhmen e vendit.
View this post on Instagram
Në fjalimin e tij, Berisha iu drejtua edhe ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, duke u shprehur për mirënjohjen më të thellë për sakrificat e tyre dhe duke kërkuar falje për ndonjë gabim të mundshëm të Partisë Demokratike në trajtimin e tyre. Kryetari i PD tha se do të shlyejë borxhin moral dhe shoqëror ndaj këtyre grupeve brenda një mandati dhe premtoi se do të anulojnë çdo ligj të miratuar nga qeveria e Edi Ramës që ka dëmtuar pronat dhe të drejtat e shqiptarëve.
Lideri demokrat, Sali Berisha e cilësoi 11 Majin si një ditë të rëndësishme dhe historike për Shqipërinë, duke theksuar se ky është një moment për të vendosur për të ardhmen e vendit dhe për të realizuar një Shqipëri të re, të begatë dhe të integruar në Bashkimin Europian. Ai akuzoi ashpër qeverisjen aktuale për pasojat e saj negative dhe premtoi një Shqipëri që do të ecë përpara drejt një të ardhmeje më të mirë për çdo shqiptar, me një qeverisje që përqendrohet te mirëqenia, punësimi, zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i arsimit.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për bashkim dhe angazhim të çdo shqiptari për një Shqipëri më të fortë, më të zhvilluar dhe më të fuqishme, që do të realizojë ëndrrat dhe aspiratat e rinisë shqiptare.