
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kodër Rrëshen, ku një punonjës i OSHEE, i identifikuar si Emiljano Bunga, ka humbur jetën gjatë kryerjes së punimeve për furnizimin me energji elektrike të një qendre votimi, ndërsa dy të tjerë janë plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në spital.
Ngjarja ndodhi pranë godinës së një ish-shkolle të mbyllur, e cila është përshtatur për të shërbyer si qendër votimi në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas të dhënave paraprake, tre elektricistët po punonin për vendosjen e lidhjes elektrike në qendër, kur ndodhi një aksident i rëndë teknik, me pasojë fatale për 37-vjeçarin Emiljano Bunga.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit, ndërkohë që OSHEE dhe strukturat zgjedhore në zonë janë angazhuar për garantimin e vazhdimësisë së përgatitjeve për zgjedhjet.
Rreth orës 12:00, në Rrëshen, shtetasi E. B., rreth 37 vjeç, elektricist, gjatë punës në një shtyllë elektrike, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, dhe për pasojë ka humbur jetën.
Gjatë punës janë dëmtuar lehtë edhe shtetasit Z. P., 60 vjeç, dhe T. D., 58 vjeç, elektricistë.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.