Partia Demokratike-ASHM është futur në fazën më intensive të fushatës zgjedhore, e drejtuar nga strategu amerikan Chris LaCivita, i cili ka sjellë përvojën nga fushatat presidenciale në SHBA në organizimin dhe mesazhet politike në Shqipëri.

Gjatë një konference përmes platformës Zoom të mbajtur në Tiranë me kandidatët e PD-ASHM, LaCivita vlerësoi mobilizimin e strukturave të PD-së në të gjithë vendin dhe energjinë që po transmetohet nga baza tek qytetarët. Ai theksoi rëndësinë e këtyre ditëve të fundit si vendimtare për të ardhmen politike të vendit.

Fokusi i fushatës mbetet ekonomia, mirëqenia e qytetarëve dhe nevoja urgjente për një ndryshim qeverisës pas 12 viteve të qeverisjes aktuale. Sipas strategjisë së përcaktuar nga LaCivita dhe drejtuesit e fushatës, theksi vendoset në kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët, angazhimin derë më derë, dhe sigurimin e daljes në votime të çdo mbështetësi të PD-së.

LaCivita ka nxitur një frymë të fuqishme mobilizimi, ku çdo kandidat, vullnetar dhe përkrahës duhet të japë maksimumin deri në momentin e mbylljes së kutive të votimit. Përvoja e tij në fushatat amerikane, përfshirë ato presidenciale, po reflektohet në mënyrën e organizimit dhe në mesazhet e qarta politike që përcillen në terren: ndryshimi është i mundur dhe ai vjen përmes pjesëmarrjes.

LaCivita ka theksuar se zgjedhjet nuk fitohen me sondazhe apo me deklarata politike, por me punë konkrete në terren dhe me një përfshirje të fortë qytetare.

Fushata e PD-ASHM ka përfshirë gjithashtu edhe diasporën shqiptare, e cila për herë të parë ka mundësi të votojë në zgjedhjet e 11 majit. Kjo konsiderohet si një avantazh i rëndësishëm për opozitën, që synon të shfrytëzojë çdo votë për të sjellë një qeveri të re dhe për të kthyer shpresën tek qytetarët.

Sipas analizave të brendshme të fushatës, vendimi i votuesve të pavendosur do të jetë faktor kyç për rezultatin, ndaj në ditët e mbetura do të intensifikohet puna në komunikimin me këtë kategori elektorale.

PD dhe aleatët e saj janë të bindur se me një angazhim të plotë dhe të organizuar në çdo nivel, dita e zgjedhjeve do të shënojë një kthesë të madhe për vendin dhe fundin e një epoke të gjatë qeverisjeje.

1. Mobilizimi maksimal:

“Mos ndaloni së punuari deri sa të mbyllen kutitë e votimit… kjo është thjesht matematikë, ka të bëjë me të nxjerrurit e më shumë njerëzve për të votuar.”

 

2. Fokusi: ekonomia dhe mirëqenia:

“Çështjet kryesore janë ekonomia, mirëqenia dhe kostoja e jetesës… këto do të vendosin rezultatin e zgjedhjeve.”

 

3. Pjesëmarrja qytetare, çelësi i fitores:

“Zgjedhjet nuk fitohen me sondazhe apo deklarata politike, por me punë konkrete në terren dhe me një përfshirje të fortë qytetare.”

 

4. Diaspora, një forcë e re:

“Për herë të parë, diaspora shqiptare ka mundësi të votojë. Ky është një avantazh i madh për opozitën.”

 

5. Përballja me qeverinë aktuale:

“Është shumë e rëndësishme t’u tregojmë qytetarëve se kush është përgjegjës për gjendjen ekonomike: vetëm një person – Edi Rama.”

 

6. Thirrja për veprim:

“Kontakti derë më derë është mënyra më efektive për të bindur dikë të votojë për ju… Ju duhet të luftoni, të merrni pjesë, dhe nëse e bëni këtë, do të fitoni.”

 

7. Mesazh uniteti dhe përkushtimi:

“Secili prej jush ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë fitore, dhe duhet të ndiheni krenarë për këtë.”

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu