
Tiranë, 28 prill 2025 – Një hap historik për shëndetësinë shqiptare u bë sot me nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), Universitetit të Mjekësisë dhe qendrës spitalore universitare europiane të ekselencës “San Raffaele” në Itali.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e QSUNT, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë marrëveshje si një moment historik jo vetëm për shëndetësinë, por për të gjithë Shqipërinë. “Hapim një faqe të re për sistemin shëndetësor shqiptar, me ambicien për ta kthyer QSUNT në një pikë referimi për Ballkanin dhe në një qendër ekselence në Europë,” theksoi Rama.
Marrëveshja synon jo vetëm përmirësimin e shërbimeve mjekësore, por edhe reformimin e plotë të Universitetit të Mjekësisë. Deri në vitin 2030, pritet që QSUNT të arrijë standardet e spitalit San Raffaele, duke u menaxhuar bashkërisht dhe duke ofruar shërbime të nivelit më të lartë europian. Po ashtu, studentët që do të diplomohen në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë do të pajisen me një diplomë të njëjtë me atë të universitetit Vita-Salute San Raffaele.
Kryeministri Rama falënderoi gjithashtu qeverinë italiane për mbështetjen në këtë projekt madhor, si dhe përfaqësuesit e grupit San Donato për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë.
Ky partneritet hap një kapitull të ri për shëndetësinë dhe arsimin e lartë mjekësor në Shqipëri, duke ofruar mundësi të reja për pacientët dhe studentët nga i gjithë rajoni.