
Në një videomesazh të publikuar këtë mëngjes, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Braçe, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen që po merr nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“I pafundësisht i surprizuar dhe thellësisht falënderues për qindra mesazhet që më konfirmojnë se po votoni masivisht për Partinë Socialiste dhe për mua,” tha Braçe. Ai theksoi se, ndonëse nuk ka marrë pjesë në takimet e organizuara nga PS jashtë vendit dhe ka komunikuar vetëm përmes rrjeteve sociale, beson se kjo mbështetje lidhet ngushtë me punën e tij të deritanishme.
View this post on Instagram
Braçe u angazhua publikisht ndaj shqiptarëve të Greqisë, Italisë, Gjermanisë, Zvicrës, Belgjikës, Francës, Britanisë, Amerikës dhe Kanadasë, duke i quajtur ata ndër më të vuajturit e emigracionit shqiptar. “Po hyj në një borxh të madh me ju,” u shpreh ai, duke premtuar se do të luftojë me më shumë forcë dhe konkretisht për të mbrojtur interesat e tyre dhe të familjeve të tyre në Shqipëri.
Në fund, Braçe përsëriti angazhimin e tij për demokratizimin e ekonomisë shqiptare: “Synimi im është ta hapim dhe ta shndërrojmë ekonominë në një ekonomi të ftuese, përfshirëse, shpërndarëse e përfituese edhe për ju, kudo që jeni.”
“Ky është një borxh për gjithë jetën,” përfundoi ai mesazhin e tij.