
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar gjigantët globalë të teknologjisë si X, Meta, Apple dhe TikTok se Bashkimi Evropian do të zbatojë me vendosmëri dhe pa përjashtime rregulloret e tij digjitale, pavarësisht origjinës apo drejtuesve të këtyre kompanive.
Në një deklaratë me shkrim, Von der Leyen theksoi se rregulloret e miratuara nga ligjvënësit evropianë janë detyruese dhe nuk do të anashkalohen: “Ne kemi nisur procedura kundër TikTok, X, Apple dhe Meta – për të përmendur vetëm disa. Do të zbatojmë ligjin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Na intereson vetëm mbrojtja e qytetarëve.”
Këto qëndrime vijnë në kohën kur SHBA, konkretisht nën administratën e Donald Trump, ka kritikuar ashpër ligje si Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) dhe Akti për Inteligjencën Artificiale (AI Act), duke i cilësuar si pengesë për lirinë e shprehjes dhe inovacionin. Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka kërcënuar se mbështetja amerikane për NATO-n mund të vihet në dyshim nëse BE-ja nuk tërhiqet nga zbatimi i këtyre rregulloreve.
Ndërkohë, Komisioni Evropian është në fazën përfundimtare të një hetimi ndaj platformës X, pas të cilit mund të pasojë një gjobë e madhe. Megjithëse raportimet e New York Times sugjeruan një gjobë prej rreth 1 miliard dollarësh, Komisioni ka mohuar zyrtarisht një vendim të tillë deri më tani./vizionplus