
Ditët e fundit, shumë qytetarë në Shqipëri kanë raportuar për marrjen e mesazheve të dyshimta SMS që pretendojnë të jenë nga Raiffeisen Bank. Mesazhet paralajmërojnë për “çaktivizim të llogarisë” dhe përmbajnë një link ku kërkohet që përdoruesit të fusin të dhënat e tyre personale.
Raiffeisen Bank ka sqaruar zyrtarisht se nuk dërgon kurrë mesazhe me kërkesë për informacion personal përmes SMS-je apo email-i. Linku i përfshirë në këto mesazhe është pjesë e një skeme phishing, që synon të vjedhë të dhënat bankare dhe financiare të qytetarëve.
Ekspertët e sigurisë kibernetike këshillojnë që të mos klikohet në asnjë link të dyshimtë dhe të mos jepen asnjëherë të dhëna personale nëpërmjet kanaleve jozyrtare. Në rast se keni marrë një mesazh të tillë, këshillohet ta fshini menjëherë dhe, nëse keni ndjekur ndonjë hap nga ai link, të kontaktoni sa më shpejt bankën dhe autoritetet përkatëse.