
Korça u mbush mbrëmjen e së premtes me mijëra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë të tjerë, të cilët morën pjesë në proçesionin tradicional të Epitafit, një nga kulmet shpirtërore të Javës së Madhe në kalendarin ortodoks.
Të gjitha kishat e qytetit u bashkuan përpara Katedrales “Ringjallja e Krishtit”, ku nisi proçesioni solemn, i cili vijoi më pas në heshtje përgjatë bulevardeve kryesore të qytetit. Besimtarët ndaluan në 14 pika simbolike, që përkujtojnë mundimet e Jezu Krishtit në rrugën e Kalvarit.
Këtë vit, ceremoninë e drejtoi At Ilia Kotnani, i cili udhëhoqi edhe lutjet në çdo ndalesë, duke përcjellë një atmosferë përkushtimi dhe reflektimi.
Proçesioni tërhoqi vëmendjen edhe të shumë emigrantëve korçarë të kthyer nga Greqia për të festuar Pashkët në vendlindje, si dhe turistëve të shumtë që kishin zgjedhur Korçën për të përjetuar festimet tradicionale./vizion plus