Në një bashkëbisedim me të rinjtë e PD, përkrah Sali Berishës, Chris LaCivita mbajti fjalën e tij më të gjatë që prej fillimit të fushatës dhe rikthimit të tij në Shqipëri, ku është paraqitur në tubime me fjalime që kanë zgjatur fare pak minuta. Ja një pjesë nga fjala e tij sot:

Nga pikëpamja strategjike, nuk do të zbulojmë shumë sekrete, por mendoj se, nga ana e fushatës, duhet të jemi shumë më aktivë në rrjetet sociale, dhe shumë më të pranishëm në mënyra jo tradicionale të komunikimit me votuesit.

Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të flasësh me grupin e duhur të votuesve, sidomos kur bëhet fjalë për mesazhin. Sigurisht, mesazhi për të cilin flet Dr. Berisha, për mundësinë që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të ndërtojnë një të ardhme këtu, pa pasur nevojë të largohen në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, është thelbësor. Por, kur flasim për partitë e majta, socialistët gjithmonë qëndrojnë bashkë, sepse ata kanë një vizion të njëjtë për botën dhe për qeverisjen, një vizion që nuk e vendos individin në qendër.

Dhe, e dini, këto janë pikërisht ato gjëra ndaj të cilave individët duhet të kenë kurajon të ngrihen dhe të luftojnë. Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës. Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi. Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër.

Dhe, e dini, kjo ka të bëjë me ndërtimin e aleancave. Shqipëria ka qenë gjithmonë në pararojë, dhe sigurisht që Dr. Berisha ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Por, përsëri, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju, sidomos ata në një moshë të caktuar, ta kuptoni sa e rëndësishme është ajo që po bëni. Jo vetëm që duhet të votoni vetë, por merrni me vete edhe pesë veta, merrni edhe dhjetë, dhe sigurohuni që të votojnë edhe ata. Është shumë e thjeshtë. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje, për sa kohë që ngriheni dhe bëheni pjesë e vendimit.

Pra, edhe një herë, unë nuk flas në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që kam shumë miq atje, sepse punoj shumë ngushtë me fushatën. Por mendoj se mjafton të themi që ekziston një kuptim i qartë i situatës politike dhe korrupsionit që ekziston këtu.
Siç e përmenda edhe mbrëmë, shumë nga gjërat që administrata Biden ka tentuar të bëjë gjatë katër viteve të fundit për të futur Donald Trump në burg, duke përfshirë edhe bastisjen e shtëpisë së tij, janë gjëra që nuk kishin ndodhur më parë.
Dhe ngjashmëritë mes asaj që po përpiqen t’u bëjnë konservatorëve këtu, dhe asaj që ata bënë në Shtetet e Bashkuara, janë jashtëzakonisht të ngjashme. Dhe kjo ndodh sepse ata nuk janë në gjendje të mbrojnë bilancin e tyre. Nuk janë në gjendje të mbrojnë gjendjen e ekonomisë.
Dhe gjithmonë duhet të kthehemi tek kjo. Do ta mbyll duke thënë se jam jashtëzakonisht i impresionuar nga ju të gjithë. Mendoj se keni shumë për të ofruar dhe e ardhmja duket shumë premtuese. Dhe anglishtja juaj është thjesht e mrekullueshme. Pra, përgëzime të gjithëve. Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu