Në një takim elektoral të zhvilluar sot në qytetin e Lezhës, ku prezantoi kandidatët dhe programin e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore për zgjedhjet e 11 majit, lideri i opozitës Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa e sfidoi hapur për një ballafaqim publik.

“Edhe emrin nuk dua t’ia dëgjoj, por për hir të qytetarëve, për hir të transparencës, jam gati në çdo shesh, në çdo studio, të ballafaqohem me të. Unë me programin e PD, ai me të vetin,” deklaroi Berisha mes mbështetësve të shumtë.

Berisha ironizoi mënyrën se si Rama, sipas tij, shmang pyetjet e gazetarëve: “Del çdo mëngjes si zog qyqeje dhe flet me veten, i bën pyetjet vetes dhe i përgjigjet vetë. Janë gazetarët që e lanë pa gjumë, si Ambrozia Meta që e tmerroi – bravo i qoftë.”

Në fjalën e tij, ai përmendi me tone të ashpra edhe shpenzimet e qeverisë, përfshirë 21 milionë euro për udhëtime dhe një shishe vere 33 mijë euro në Kryeministri: “Kjo ndodh vetëm në sulltanatin e Bruneit!”

Duke iu referuar largimit masiv të shqiptarëve në këto 10 vite, Berisha u shpreh: “Hajde tu themi shqiptarëve pse janë larguar 1 milion e 99 mijë vetë. A do t’i zëvendësosh me singalezë dhe bangladeshas?!”

Nga Lezha, Berisha premtoi gjithashtu një transformim të thellë në arsim dhe shëndetësi, me premtime për paga më të larta për mësuesit dhe analiza falas për pensionistët. Ai theksoi se portalet dhe shkollat partiake do të mbyllen menjëherë pas ardhjes në pushtet.

“Ne jemi gati për betejën e 11 majit – për një Shqipëri të ndershme dhe dinjitoze,” përfundoi ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu