
Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se TikTok është mbyllur përfundimisht në Shqipëri, Sali Berisha ka reaguar duke u rikthyer në platformë përmes përdorimit të një VPN-i. Ish-kryeministri u shfaq sërish aktiv në TikTok dhe u bëri thirrje të gjithë të rinjve që të mos heqin dorë nga rrjeti social, por të shkarkojnë VPN dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre pa pengesa.
“Mos lejoni që t’ju mbyllin zërin. Shkarkoni një VPN dhe vazhdoni të jeni aktivë,” u shpreh Berisha në një konferencë për shtyp kur u pyet nga gazetarët.
“Kjo e imja është në rregull. Sepse unë kam shkarkuar një VPN, dhe ai e përmbush funksionin. Por kjo do të hyjë në histori si një ditë e zezë e censurës, si një akt madhor censure, pa asnjë ligj, pa asnjë bazë. Thjesht të njëjtin vendim që mori Habitullahu i Kabulit, mori dhe Habitullahu i Tiranës.
Në traditën e tij atërore, njeriu që ka patur për baba një xhelat të fjalës së lirë, ka firmosur varjen në litar në të Havzi Nelës në 10 gusht 1988. Edi Rama përsëriti të njëjtën gjë, për të njëjtën arsye.
Kristaq Rama nuk duronte dot vargjet e lira të tij. Edi Rama nuk duron dot kritikat e të rinjve në Tik Tok. Kjo dëshmon qartë edhe njëherë se çfarë raporti ka ky me vlerat bazë të demokracisë, liritë dhe të drejtat e njeriut.
I ftoj të gjithë të rinjtë të shkarkojnë VPN-në dhe të vazhdojmë betejën tonë, në radhë të parë kundër censurës.
Nuk duhet t’i nënshtrohemi censurës. Ky është një akt i shëmtuar, një akt që nuk mund ta bënte kurrë një njeri.”
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, dhe duket se beteja për qasjen online sapo ka nisur.