
Në kuadër të eventit ekonomik “Match-Maker Albania 2025”, Kryeministri Edi Rama përshëndeti mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 vende, duke i inkurajuar të investojnë në Shqipëri, teksa theksoi se vendi po lulëzon si një destinacion premtues për investime dhe novacion.
“Jemi një vend shumë i mirë për të investuar në gjithçka. Një vend shumë i mirë po ashtu për t’u bërë bashkë aktorë lokalë dhe aktorë ndërkombëtarë të biznesit,” u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se momenti aktual është më i favorshmi për investime, duke paralajmëruar se në të ardhmen çmimet e pronave dhe mundësitë për të hyrë në tregun shqiptar do të jenë shumë më të kushtueshme.
“Është koha për të blerë qoftë dhe një gur në Shqipëri sepse nesër do jetë vonë. Nesër të gjithë do duan të vijnë, të gjithë do duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Kështu që, çfarëdo do donit të bënit, bëjeni tani,” apeloi ai.
Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në turizëm, duke vënë theksin te potenciali i pazbuluar i maleve shqiptare. Ai inkurajoi investitorët të eksplorojnë mundësitë që ofron ky sektor, i cili, sipas tij, do të sjellë përfitime të shumëfishta në të ardhmen.
Eventi “Match-Maker Albania 2025” synon të lidhë eksportuesit shqiptarë me tregjet ndërkombëtare, duke fuqizuar markën “Made in Albania” dhe duke prezantuar potencialin e Shqipërisë për investime në turizëm, infrastrukturë dhe pasuri të paluajtshme.